Dmitri Chirciu
04 Dhjetor 2019•Përditësim: 05 Dhjetor 2019
DMITRI CHIRCIU
Ministria e Brendshme e Ukrainës i ka dhënë dritë jeshile përdorimit të fotografive të femrave muslimane me mbulesë në dokumentet e identifikimit, kërkesë tashmë e kërkuar prej një kohe të gjatë nga komuniteti musliman në vend.
Shpenzimet për zbatimin e rregullores së re që lejon përdorimin e fotografive me shami në pasaporta dhe letërnjoftime janë mbuluar me paratë e tubuara nga muslimanët e Ukrainës.
Said Ismagilov, myfti i Administratës Fetare të Muslimanëve të Ukrainës, duke folur për Anadolu Agency (AA) rikujtoi se kjo normë tashmë ishte pranuar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, por një rregullore e tillë nuk ekzistonte në Ukrainë.
Për këtë qëllim, tha ai, së bashku me Unionin e Grave Muslimane kishin parashtruar kërkesë në Ministrinë e Brendshme të vendit.
"Ministria mbajti një mbledhje në vitin 2018, në të cilën u disktua çështja e fotografisë me shami. Aty u shpjegua se pse mbulesa është e rëndësishme për një grua muslimane", tha Ismagilov.
Ismagilov theksoi se përdorimi i fotografive me mbulesë nuk është i rëndësishëm vetëm për muslimanët, por edhe për përfaqësuesit e feve të tjera.
Sipas tij, për zbatimin e kësaj praktike duhet të bëhen rregullime ligjore në përputhje me normat ndërkombëtare.
"Në namazin e xhumasë, ne mblodhëm shumën e nevojshme të parave për institutin i cili i përpilon këto rregullime dhe në këtë mënyrë e filluam procesin", tha Ismagilov, duke shtuar tashmë një kohë të gjatë përpiqen për për arritjen e një legjislacioni të ri.
"Ne u përpoqëm shumë. Ne i kemi shpjeguar mjaft institutit se çfarë është mbulesa, cila pjesë e kokës mbulohet, cila nuk mbulohet. Më në fund, ky problem u zgjidh", tha më tej Ismagilov.
Ai tha se vendimi për lejimin e fotografive me mbulesë është miratuar më 19 nëntor nga ana e Ministrisë së Brendshme.
"Miratimi i kësaj norme përputhet me kushtetutën e Ukrainës. Ky është një hap drejt demokratizimit të shoqërisë dhe respektimit të të drejtave të grave", vlerësoi Ismagilov.
Ndryshe, rregullorja e re ligjore lejon përdorimin e fotografive me mbulesë për shkaqe fetare ose shëndetësore në pasaporta, letërnjoftime dhe patenta të shoferit.