Barış Seçkin
22 Gusht 2017•Përditësim: 22 Gusht 2017
ROMË (AA) - Tërmeti i njoftuar fillimisht me magnitudë 3,6 ballë i ndodhur me qendër në ishullin Ischia, në perëndim të Italisë, është regjistruar përfundimisht në 4 ballë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tronditja në ishull ka ndodhur 5 km në thellësi në afërsi të lagjes Casamicciola, e cila është ndikuar më shumë nga tërmeti.
Në një deklaratë të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile e cila kryen punimet e kërkim shpëtimit, njoftohet se ka humbur jetën një person, konkretisht një grua e cila ka mbetur nën rrënojat e një kishe në lagjen Casamicciola të ishullit.
Ndër të tjera bëhet e ditur se ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë punimet pa ndërprerje për shpëtimin e 3 fëmijëve të humbur.
Në lajmin e kanalit Rainews24 është njoftuar se janë plagosur 25 persona, nga të cilët 2 prej tyre janë në gjendje serioze për jetën.
Turistët dëshirojnë të largohen sa më parë nga ishulli
Gjithashtu bëhet e ditur se ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe të shëndetësisë së Napolit që është rajoni më i afërt me Ischia kanë mbërritur në ishull. Ndërsa theksohet se në ishull janë dërguar ekipe përforcuese të kërkim-shpëtimit edhe nga rajonet Campania, Lazio, Toskana, Puglia dhe Calabria.
Si pasojë e tërmetit në qendrën e ishullit dhe në port njoftohet se është ndërprerë energjia elektrike.
Ndërsa në lajme është raportuar se një numër i konsiderueshëm turistësh të cilët ndodhen në ishull për shkak të periudhës së verës dhe pushimeve, dëshirojnë të largohen sa më parë nga ishulli.
Ndër të tjera bëhet e ditur se Kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni, nëpërmjet njësive të mbrojtjes civile ndjek nga afër zhvillimet në rajonin ku ka ndodhur tërmeti.
Tërmeti në ishullin turistik Ischia i cili ndodhet në perëndim të qytetit Napoli ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:57. Për shkak të tërmetit sipas të dhënave paraprake ishte njoftuar se një person kishte humbur jetën.