Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
15 Mars 2021•Përditësim: 15 Mars 2021
Turqia ka dënuar ashpër përdorimin e vazhdueshëm të forcës ndaj civilëve nga ushtria e Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne dënojmë fuqishëm përdorimin e vazhdueshëm të forcës vdekjeprurëse nga regjimi ushtarak kundër popullit të tij gjatë protestave paqësore, duke injoruar thirrjet e komunitetit ndërkombëtar", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Ministria turke po ashtu u shpreh e "shqetësuar dhe thellësisht e trishtuar" për numrin më të lartë të humbjeve civile gjatë ditës së djeshme në Yangon.
"Edhe një herë, ne i bëjmë thirrje regjimit ushtarak që menjëherë t'i japë fund dhunës dhe të ndërmarrë hapa pa u vonuar drejt kthimit në demokraci ", theksoi ministria.
Pavarësisht brutalitetit në rritje të juntës ushtarake, demonstratat kundër grusht shtetit të 1 shkurtit në Mianmar nuk kanë hequr dorë.
Deri më tani në të gjithë vendin nga trupat ushtarake janë vrarë mbi 110 persona, ndërkohë mbi 2 mijë janë arrestuar.