Mehmet Şah Yılmaz
21 Janar 2023•Përditësim: 21 Janar 2023
Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiye-s ka dënuar fuqishëm aktin e djegies së Kuranit në Suedi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Dënojmë me shprehjet më të forta sulmin e ulët të kryer sot në Suedi kundër librit tonë të shenjtë, Kuranit, pavarësisht paralajmërimeve tona. Ne në asnjë mënyrë nuk pranojmë që ky veprim provokues armiqësor ndaj Islamit që vendos në objektiv muslimanët dhe fyen vlerat tona të shenjta të lejohet nën emrin e lirisë së shprehjes", thuhet në deklaratën e ministrisë lidhur me djegien e Kuranit në Suedi.
Më tej në deklaratë thuhet se "Akti provokativ është një krim urrejtjeje. Ky akt i ulët në të njëjtën kohë është një tjetër tregues i nivelit shqetësues që kanë arritur rrymat e armiqësisë ndaj Islamit, racizmit dhe diskriminimit në Evropë".
Teksa në deklaratë i bëhet thirrje Suedisë dhe komunitetit ndërkombëtar që të marrin masa thuhet se "U bëjmë thirrje autoriteteve suedeze që të ndërmarrin veprimet e nevojshme kundër autorëve të këtij krimi të urrejtjes si dhe u bëjmë thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që të marrin masa konkrete në solidaritet kundër armiqësisë ndaj Islamit".
Lideri i partisë së ekstremit të djathtë danez, Drejtimi i Rreptë (Stram Kurs), Rasmus Paludan kreu provokimin e djegies së Kuranit në afërsi të ambasadës së Türkiye-s në Stockholm. Askush nuk u lejua t'i afrohej Paludan-it, i cili e kreu këtë akt nën mbrojtjen e forcave të shumta të policisë.