Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
11 Mars 2018•Përditësim: 12 Mars 2018
IDLIB (AA) – Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) vazhdojnë punimet për pastrimin e qytezës Xhinderes nga minat dhe eksplozivët, të cilën e çliruan nga organizatat terroriste YPG/PKK-DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
TSK dhe ULS më 8 mars pastruan nga organizata terroriste YPG/PKK qendrën e qytezës Xhinderes, rreth 20 kilometra larg qendrës së qarkut të Afrinit në Siri.
Me vazhdimin e punimit të pastrimit të minave në Xhinderes, disa familje filluan të kthehen në shtëpitë e tyre.
Edhe gazetarët e AA-së në rajon, për herë të parë filmuan nga afër Xhinderesin. Në pamjet e filmuara nga ajri shihet se edhe pse pjesërisht, civilët kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se në disa rrugica shihet prania e motoçikletave dhe automjeteve të civilëve.
Zëdhënësi i Ushtrisë Nasir nën kulmin e ULS-së, Muhammed Rashit në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se me qëllim të ofrimit të mundësisë për kthim të sigurtë të civilëve në Xhinderes janë duke vazhduar me pastrimin e minave dhe eksplozivëve të vendosur nga organizatat terroriste në këtë qytezë.
“Qëllimi ynë i përbashkët është lufta kundër organizatës terroriste separatiste për shkak të ushtrimit të persekutimit ndaj popullatës rajonale si dhe për shkak të kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare të Turqisë dhe të integritetit territorial të Sirisë”, thotë Rashit.
Duke bërë të ditur se Xhinderesi është çliruar me përleshje të dhunshme me organizatën terroriste separatiste YPG/PKK, e cila kërcënon integritetin territorial të Sirisë, Rashit thotë se “Ne jemi këtu jo për të pushtuar por për të çliruar. Afrini është i qytetarëve të Afrinit”.
Rashit tha se organizata terroriste ka vendosur mina dhe eksploziv artizanal në lagje dhe rrugë. Sipas tij, kjo organizatë të cilën e quan si “frikacake”, përpiqet që t’i përdorë civilët si mburoja të gjallë.
Ai thotë se në vendbanimet e pastruara vazhdojnë punimet për pastrimit e minave, hetimit dhe ofrimit të sigurisë së jetës dhe të pronës. “I bëjmë thirrje popullatës që ka ikur nga fshatrat e pastruara të kthehen në shtëpitë e tye. Prania jonë në fshatrat e pastruara është e përkohshme. Ne do të luftojmë përderisa Afrini të çlirohet”, tha Rashit.
AA edhe më 6 mars, edhe pse nga larg ka filmuar qendrën e qytezës Xhinderes, ku ishte parë që qendra e kësaj qyteze në masë të madhe ishte zbrazur. Ishte mësuar se YPG/PKK po i detyron banorët e qytezës të emigrojnë në qendër të Afrinit për t’i përdorur si mburojë të gjallë.
TSK dhe ULS katër ditë më parë pas përleshjeve të dhunshme pastruan nga organizatat terroriste qytezën Xhinderes, në jugperëndim të Afrinit.