Fatjon Cuka
23 Tetor 2017•Përditësim: 23 Tetor 2017
TIRANË (AA) - Sot në Tiranë u zhvillua aktiviteti për prezantimin e raportit të monitorimit të "Gjyqësorit dhe të Drejtave Themelore" dhe "Drejtësia, Liria dhe Siguria", i realizuar në kuadër të monitorimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), për periudhën dhjetor 2016-shtator 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i këtij raporti prezantuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) ishte monitorimi i nivelit të zbatimit të reformave, si dhe progresit të arritur në fushat kryesore që lidhen me Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullit 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Raporti në fjalë është hartuar, duke u bazuar në të dhëna të marra nga disa burime, si vlerësime nga ekspertë të fushës, vetëvlerësime nga ana e institucioneve përgjegjëse, faqet zyrtare në internet, intervista, fletore zyrtare apo projektligje të paraqitura në Kuvendin e Shqipërisë për miratim, si dhe akte ligjore dhe nënligjore të miratuara gjatë periudhës kohore të monitorimit.
Sipas raportit, Shqipëria ka nisur zbatimin e reformës në drejtësi që përbën një sistem gjithëpërfshirës masash që synojnë reformimin tërësor të sistemit gjyqësor dhe të gjithë përbërësve të tjerë të strukturës së drejtësisë në vend.
“Gjatë viteve te fundit Shqipëria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjes së korrupsionit dhe drejtësisë, e sidomos kësaj të fundit me nismën mbarëkombëtare të ‘veting-ut’. Shumë të diskutuara kanë qenë gjithashtu dhe problematika e krimit të organizuar dhe drogës. Më pak të diskutuara gjatë vitit 2016 e 2017 kanë rezultuar aspekte të sigurisë që kanë të bëjnë me terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm e radikalizmin, emigrimin dhe sigurinë kibernetike. Ky raport monitorimi do të analizojë pikërisht arritjet e Shqipërisë në fushat e lartpërmendura”, thuhet në raport.