Erkan Avci
25 Tetor 2016•Përditësim: 25 Tetor 2016
WASHINGTON (AA) - Kandidati i Partisë Republikanë për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, në kuadër të fushatës elektorale ka zhvilluar një takim në Florida. Duke kritikuar median, Trump ka thënë se edhe pse ai është duke kryesuar garën, mediat këtë e kanë manipuluar duke treguar si kryesuese kandidaten e demokratëve, Hillary Clinton, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump ka thënë se në mesin e atyre që mashtrojnë më shumë në botë është edhe media. Ai ka shtuar se mediat po mundohen të manipulojnë zgjedhjet "në mënyrë që të fitojë një kandidat gënjeshtar si Clinton."
Ndërsa në një tjetër fjalim në qytetin St. Augustine Trump është shprehur: "Faktikisht jemi duke fituar ne", dhe kritikoi median duke e akuzuar për manipulim.
Ndërsa në lidhje me kundërshtaren e tij Clinton, Trump është shprehur: "Ajo gënjen më shumë se sa një njeri normal. Trump ka akuzuar edhe FBI-në se nuk po trajton me drejtësi hetimin ndaj Clinton mbi përdorimin e e-mail-it personal për dërgimin e materialeve shtetërore.
Kandidati Trump nuk ka lënë jashtë kritikave të tij edhe Presidentin në largim Barack Obama. Ai ka kritikuar politikën e tij për luftën kundër organizatës terroriste DEASH duke thënë se për të parë se sa gabim është kjo politikë, mund të shihet rasti i operacionit të Mosulit.
"Jemi zhytur në një moçal në Mosul. Armiku doli më i fortë se sa mendohej. Kishin kohë për tu përgatitur. Në çdo vend përdorin civilët si mburojë. Ka një gjendje shumë të frikshme në terren. Përse duhet të thonim që do hyjmë në qytet? Përse nuk u futëm dhe ti tregonim opinionit që kapëm të gjallë liderët e tyre? Këto janë njerëz dhe drejtues të çmendur", është shprehur ndër të tjera ai.
Nga ana tjetër kandidatja demokrate Clinton ka kritikuar Trump për fjalimin e tij për Mosulin duke thënë se me këto deklarata ai tregon se sa komandant i keq mund të bëhet.
Ndërkohë në mbështetje të Clinton në takime të ndryshme kanë marrë pjesë edhe Presidenti Obama si dhe zëvendësi i tij Joe Biden.