Bota

Trump përsërit pretendimin e tij se objektet bërthamore të Iranit janë "shkatërruar plotësisht"

- Presidenti amerikan Trump gjithashtu mbështeti angazhimin e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s në bazë të Nenit 5.

Muhammed Yasin Güngör  | 25.06.2025 - Përdıtësım : 25.06.2025
Trump përsërit pretendimin e tij se objektet bërthamore të Iranit janë "shkatërruar plotësisht"

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë samitit të NATO-s në Hagë ka përsëritur pretendimin e tij se objektet bërthamore të Iranit u "shkatërruan plotësisht" në sulmet e fundjavës, transmeton Anadolu.

Trump përsëriti pohimin e tij në lidhje me shkatërrimin derisa foli me gazetarët së bashku me kryeministrin holandez, Dick Schoof.

Sipas CNN, inteligjenca amerikane arriti në përfundimin se sulmet ajrore të fundjavës në tre objektet bërthamore iraniane nuk shkatërruan strukturën themelore të programit bërthamor të Iranit, duke e çuar atë vetëm disa muaj prapa.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, konfirmoi për Al Jazeera se objektet bërthamore ishin "dëmtuar rëndë" në sulmet amerikane.

Raportet kontradiktore nxjerrin në pah paqartësinë në lidhje me efektin e operacionit ushtarak amerikan kundër infrastrukturës bërthamore iraniane, të cilin Trump e urdhëroi pas përshkallëzimit të tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.

Trump gjithashtu u pyet nëse ai mbështet angazhimin e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s në bazë të Nenit 5, duke u përgjigjur: "Unë qëndroj me të. Kjo është arsyeja pse jam këtu".

Ai refuzoi të japë një angazhim të qartë për klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë, duke u thënë gazetarëve se kjo "varet nga përkufizimi juaj" derisa udhëtonte për në samit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın