İnci Gündağ
16 Janar 2017•Përditësim: 16 Janar 2017
LONDËR (AA) – Gazeta britanike "The Times" publikoi intervistën e zhvilluar nga ish-sekretari britanik i Drejtësisë dhe deputeti i Partisë Konservatore në pushtet Michael Gove me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump me titullin “Do të bëj marrëveshje me Britaninë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në intervistën e realizuar në zyrën e punës të Trump në New York, Trump, i cili të premten do të merr zyrtarisht detyrën, ka theksuar se mandatin do ta fillojë duke i besuar kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Rusisë Vladimir Putin, por, sipas tij, koha do të tregojë se sa do të zgjasë ky besim.
“Merkel ka bërë një gabim katastrofal”
Gjatë intervistës, Trump është shprehur se “ka respekt të madh” për kancelaren gjermane Merkel, megjithatë, ai ka kritikuar pranimin e mbi një milion refugjatëve në territorin gjerman.
“Mendoj se Merkel ka bërë një gabim katastrofal duke i pranuar në shtetin e saj të gjithë këta refugjatë. Askush madje nuk e di se prej nga vijnë këta njerëz. Domethënë, sipas meje, Merkel ka bërë një gabim katastrofal, ka marrë vendim të keq”, ka thënë Trump, duke komentuar se “BE-ja është bërë mjet i Gjermanisë”.
Trump po ashtu ka vënë në pah se do t’i largojë sanksionet ndaj Rusisë në këmbim të një marrëveshjeje për reduktimin e armëve bërthamore.
“Kemi disa sanksione ndaj Rusisë. Le ta shohim nëse do të mund të arrijmë disa marrëveshje të mira me Rusinë. Mendoj se armët bërthamore duhet reduktuar në masë të konsiderueshme. Kjo është pjesë e saj (marrëveshjes)”, ka potencuar Trump.