Emre Aytekin
02 Gusht 2017•Përditësim: 02 Gusht 2017
WASHINGTON (AA) – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se po përgatitet të hapë gjykim ndaj universiteteve të cilat pretendohet se bëjnë diskriminime ndaj të bardhëve, në pranimin e studentëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës "New York Times", qeveria e Trumpit po përgatitet që të dërgojë në gjykim politikat e universiteteve për "diskriminimet pozitive", të cilat bëhen në mënyrë që të ketë më shumë pranime të studentëve të grupeve minoritare në programet arsimore.
Në një dokument të zbuluar nga kjo gazetë thuhet se qeveria kërkon nga Departamenti i Drejtësisë që të fillojnë procedurat gjyqësore “për universitetet dhe fakultetet të cilët praktikojnë një diskriminim të vetëdijshëm mbi baza racore."
Sipas kësaj gazete, ky dokument është një shembull i ri i trendit konservator të praktikuar nga departamenti përkatës i Departamentit të Drejtësisë, gjatë periudhës së Trumpit dhe të sekretarit Jeff Sessions.
Praktikat e diskriminimit pozitiv po aplikohen për studentët të cilët vijnë nga grupet e disavantazhuara si për personat me ngjyrë dhe hispanikët, për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në arsimin e lartë, duke caktuar një prioritet për ta në sasi të caktuar në krahasim me studentët e tjerë.