Ayşe Aktaş
25 Tetor 2017•Përditësim: 25 Tetor 2017
NEW DELHI (AA) – Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, zhvilloi një takim me homologen e tij indiane, Sushma Swaraj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tillerson, në një deklaratë për media pas takimit tha se në vizitën e realizuar në Pakistan, para vizitës në Indi, ka shprehur pritjet e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, lidhur me luftën kundër grupeve terroriste.
Ai pohoi se një numër i madh i grupeve terroriste po realizojnë sulme në shtetet tjera duke i përdorur tokat e Pakistanit.
Edhe ministrja e Jashtme e Indisë, Swaraj, njoftoi se shteti i saj ka pranuar që të diskutojë çështjen e Afganistanit me qeveritë e Washingtonit dhe të Kabulit.
Mësohet se diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan në luftën kundër terrorizmit në rajon dhe për rolin e qeverisë së New Delhit në Afganistan.
Tillerson, para vizitës së tij në Indi kishte vizituar Pakistanin, Irakun, Afganistanin, Katarin dhe Arabinë Saudite.