Barry Eitel
22 Shkurt 2017•Përditësim: 22 Shkurt 2017
SAN FRANCISCO (AA) – Shkencëtarët amerikanë kanë njoftuar të martën se do të nisin të testojnë vaksinën e cila mbron nga pështyma e mushkonjës, dhe nëse rezulton e suksesshme ajo do të mund të mbrojë njerëzit nga sëmundjet të cilat transmetohen nga insektet, raporton Anadolu Agency (AA).
Vaksina në fjalë do të mund të mbrojë dhe parandalojë sëmundjet të cilat shfaqen si pasojë e virusit Zika, të pengojë përhapjen e malaries dhe etheve tropikale të Nilit Perëndimor. Vaksina eksperimentale AGS-v është zbuluar nga kompania farmaceutike SEEK me seli në Londër.
Faza e parë e testit klinik do të zbatohet në Maryland të SHBA-ve dhe do ta udhëheqë instituti Nacional për Sëmundje Infektive dhe Alergji (NIAID) i cili është pjesë e Institutit Nacional amerikan për Shëndetin (NIH).
Në fazën e parë të testimit do të përfshihen rreth 60 të rritur të shëndetshëm të moshës mes 18 dhe 50 vjeçare për çka aktualisht po bëhen rekrutimet e vullnetarëve. “Mushkonjat shkaktojnë numrin më të madh të sëmundjeve dhe vdekjeve njerëzore nga cilado kafshë tjetër”, tha drejtori i NIAID Anthony S. Fauci.