Bota

Takimi Guterres-Qureshi, në fokus çështja e Kashmirit

"Kjo është çështje shqetësuese dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mund të jetë e pavëmendshme ndaj situatës atje", tha ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi

Servet Günerigök  | 16.01.2020 - Përdıtësım : 16.01.2020
Takimi Guterres-Qureshi, në fokus çështja e Kashmirit

Washington

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas kumtesës së Zyrës së sekretarit të përgjithshëm, Guterres dhe Qureshi shkëmbyen pikëpamjet në lidhje me zhvillimet rajonale.

"Sekretari i Përgjithshëm përsëriti rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Azinë e Jugut përmes dialogut politik, zgjidhjeve diplomatike dhe respektimit të të drejtave të njeriut", tha ai.

Në lidhje me takimin, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit njoftojnë se Qureshi ka informuar Guterresin në lidhje me situatën "e vështirë" në Kashmirin e administruar nga India, që është nën një bllokim të vazhdueshëm të sigurisë dhe komunikimit për 150 ditët e fundit.

Duke përshëndetur takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kashmirin, i cili riafirmoi statusin e diskutueshëm, Qureshi i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë OKB-së që "të veprojë me vendosmëri dhe të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ndalur këto politika të rrezikshme, për të dekurajuar Indinë nga provokimi i një konflikti me Pakistanin dhe të shmangë katastrofën humanitare si dhe rrezikun në rritje për paqen dhe stabilitetin e Azisë Jugore", thuhet në kumtesë.

Duke folur para përfaqësuesve të mediave pas takimit, Qureshi kujtoi se Këshilli i Sigurimit diskutoi mbi çështjen e Kashmirit për të dytën herë në pesë muaj, gjë për të cilën ai tha se është një "tregues i qartë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është në dijeni" se çështja e Kashmirit është në axhendën e tij.

Ai tha se India pretendon të krijojë përshtypje se çështja e Kashmirit është një çështje e brendshme, gjë që sipas Qureshit nuk është e vërtetë.

"Kjo është çështje shqetësuese dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mund të jetë e pavëmendshme ndaj situatës atje", tha ai.

Kryediplomati pakistanez gjithashtu tha se vazhdojnë shqetësimet për shkeljet e të drejtave të njeriut në rajon, se situata është e tensionuar dhe se ka një ndërprerje të komunikimit.

"Qasja e udhëheqësisë indiane është e qartë dhe nuk ka pasur asnjë reagim pozitiv nga ana e tyre", tha Qureshi.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Këshilli i Sigurimit ka biseduar në lidhje me rajonin e diskutueshëm të Kashmirit kur ekzistojnë shqetësime në lidhje me përshkallëzimin e situatës midis Indisë dhe Pakistanit, rivalëve të cilët janë të armatosur me armë bërthamore.

Sipas raportimeve, Franca, një aleate e Indisë, ka kundërshtuar kërkesën e Kinës për të zhvilluar bisedimet me dyer të mbyllura për çështjen Xhammu dhe Kashmir në selinë e organizatës në New York.

Muajin e kaluar, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia bllokuan një përpjekje të mëparshme nga Kina për të diskutuar lidhur me çështjen në një takim tjetër me dyer të mbyllura. Këshilli diskutoi për herë të fundit mbi Kashmirin në gusht të vitit 2019.

Kina prej kohësh ka shprehur shqetësimin për situatën në Kashmirin e administruar nga India dhe është shprehur se mbështet Pakistanin në luftën e tij për popullin e Kashmirit.

Kashmiri, një rajon himalajas me shumicë muslimane, kontrollohet nga India dhe Pakistani pjesërisht dhe pretendohet nga të dyja vendet në tërësi. Një pjesë e vogël e Kashmirit administrohet edhe nga Kina, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra në lidhje me territorin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.