Riyaz ul Khaliq
10 Qershor 2019•Përditësim: 11 Qershor 2019
Ushtria dhe policia e Tajlandës ka arrestuar të paktën 21 emigrantë nga Mianmari në jug të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale, një prej emigrantëve ishte një person i sëmurë që nuk kishte ngrënë ushqim ditëve të fundit.
Operacioni i përbashkët i forcave tajlandeze u krye në një vendpushim turistik në Tambon Patong të rrethit Songhla, në jug të Tajlandës.
Ata po ashtu arrestuan një banor lokal, Pongpipat Suwanraksa, që ishte i përfshirë në trafikimin e emigrantëve.
Hetimet çuan autoritetet tajlandeze të kërkojnë një pyll në fshatin Moo të së njëjtës zonë, ku zbuluan 13 burra dhe një grua nga Mianmari.
“Ata dukeshin të lodhur dhe të uritur. Asnjë prej tyre nuk kishte ngrënë për tre ditë dhe disa ishin të sëmurë si rezultat i kësaj”, tregojnë hetimet.
Tajlanda kryesisht ka qenë duke pranuar popullsinë e zhvendosur Rohingya nga Mianmari që iknin nga persekutimi i shtetit.
Populli Rohingya, i cili kryesisht është musliman, kalojnë në Tajlandë për të arritur në Malajzi ku shumica e banorëve janë muslimanë, ku ata synojnë të jetojnë në paqe dhe të menaxhojnë jetesën e tyre.
- Persekutimi i popullit Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.
OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.