Esra Taşkın
05 shkurt 2025•Përditësim: 11 shkurt 2025
Ndërsa Izraeli zhvilloi ofensivën e tij brutale ushtarake në gjithë Rripin e Gazës, lokacionet historike dhe arkeologjike nuk u kursyen nga bombat që binin.
Përveç shkatërrimit të gjerë të shkollave, spitaleve dhe shtëpive, shkatërrimi kulturor ka ngritur shqetësime për ndikim të qëndrueshëm si te populli i Gazës, ashtu edhe te kërkimet shkencor, pasi shumë lokacione me rëndësi historike janë dëmtuar rëndë nga sulmet e Izraelit.
Sipas Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave, më shumë se 300.000 struktura janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht në Gaza që nga fillimi i sulmeve në tetor 2023.
Shkalla e shkatërrimit ka nxitur akuzat se Izraeli po kryen “gjenocid kulturor” në rajon.
- Dëmtimi sistematik i vendeve historike
Arkeologu Simon Brelaud foli për Anadolu për humbjet kulturore të shkaktuara në Gaza gjatë 15 muajve të fundit, duke theksuar shkatërrimin sistematik të objekteve dhe vendeve historike.
Brelaud, i cili në vitin 2013 punoi me një ekip që studionte artefaktet e gërmuara nga Gaza, përshkroi vështirësitë me të cilat u përballën gjatë gërmimeve. Ai vuri në dukje se kolegët e tij palestinezë gjithashtu luftuan për të mbledhur dhe dokumentuar gjetjet.
“Si shumica e njerëzve, unë nuk mund të shkoja në Gaza”, tha Brelaud, duke shpjeguar sfidat në dokumentimin e gjendjes së lokacioneve arkeologjike.
Ai iu referua historianit dhe arkeologut Hayam al-Betar, i cili ka thënë se 95 për qind e vendeve historike të Gazës janë prekur nga sulmet e Izraelit, ose të dëmtuara ose të shkatërruara plotësisht.
- Humbje të pakthyeshme në Gaza dhe Rafah
Brelaud theksoi shkatërrimin e shumë lokacioneve arkeologjike në Gaza dhe Rafah, duke shtuar: “Ndoshta më e rëndësishmja, raportohet se Tell es-Sakan, një vend i rëndësishëm, u shkatërrua, madje edhe operacione buldozeri u kryen nga forcat okupuese për ta rrafshuar atë”.
Ndërsa disa ndërtesa historike të dëmtuara mund të restaurohen, Brelaud theksoi se lokacionet arkeologjike të humbura në shkatërrim nuk mund të rikuperohen.
Ai nënvizoi rëndësinë historike të Gazës dhe zonave përreth saj për Palestinën dhe Lindjen e Mesme më gjerë, duke deklaruar se, ashtu si populli i saj, trashëgimia kulturore e Gazës duhet të ruhet.