Mahmut Atanur
13 Maj 2018•Përditësim: 13 Maj 2018
XHAKARTA (AA) - Numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve me bomba të ndërmarrë në 3 kisha në qytetin Surabaya të Indonezisë, është rritur në të paktën 11 persona, ndërsa i atyre të plagosur në 41, raporton Anadolu Agency (AA).
Tre sulme me bombë janë ndërmarrë ndaj 3 kishave në orët e mëngjesit në qytetin Surabaya i cili është qyteti i dytë më i madh në rajonin e Javas Lindore.
Zëdhënësi i policisë, Frans Barung Mangera, ka njoftuar se si pasojë e sulmeve me objektiv 3 kishat kanë humbur jetën 11 persona dhe janë plagosur 41 të tjerë. Ai shtoi se vazhdon trajtimi i të plagosurve nëpër spitale.
Po ashtu Mangera, ka theksuar se pas sulmit të parë ndaj kishës Santa Maria Roman janë ndërmarrë sulme edhe ndaj kishave Diponegoro dhe Pantekosta.
- Sulmuesja me motoçikletë
Policia rajonale, theksoi se në sulmin vetëvrasës në Kishën Santa Maria Roman, një grua me dy fëmijët e saj e ka kryer me motoçikletë në hyrje të kishës.
Vazhdon hetimi gjithëpërfshirës i policisë në lidhje me incidentin, ndërsa pas shpërthimit njoftohet se është dhënë alarmi i nivelit më të lartë të sigurisë në kryeqytetin Xhakartë, Java Lindore dhe Ishujt Riau.
Ndërkohë presidenti Joko Widodo, shkoi në qytet për të kryer hetime në vendin e incidentit dhe për të vizituar të plagosurit.
Komuniteti më i madh musliman i vendit, Nahdlatul Ulema (NU), Këshilli i Ulemave Indonezian dhe Shoqata e Kishës Indoneziane në Xhakarta i dënuan sulmet.
Indonezia me një popullsi prej 260 milionë njerëz, është vendi i katërt më i populluar në botë, ndërsa ka edhe popullsinë më të madhe muslimane në botë. 87 për qind të popullsisë e përbëjnë muslimanët, 10 për qind të krishterë, 1.7 për qind hindu dhe 1.3 për qind nga besimtarë të tjerë.