Mohammad Farid Mahmoud Abdullah
27 Tetor 2021•Përditësim: 27 Tetor 2021
Autoriteti i aviacionit civil të Sudanit do të rihapë për fluturime Aeroportin Ndërkombëtar të Khartoum-it pas një pezullimi njëditor, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Fluturimet do të rifillojnë më vonë të mërkurën pas një pezullimi të përkohshëm", tha autoriteti në një deklaratë të cituar nga faqja e internetit Asharq Business.
Autoriteti mbrëmë njoftoi pezullimin e fluturimeve nga aeroporti deri më 30 tetor.
Të hënën, ushtria e Sudanit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, shpërndau Këshillin Sovran të përkohshëm dhe qeverinë, disa orë pasi arrestoi kryeministrin e vendit, Abdalla Hamdok dhe ministrat në qeverinë e tij civile.
Pas një grushti të dështuar ushtarak muajin e kaluar, shpërthyen tensionet e thella midis ushtrisë dhe administratës civile.
Përpara se ushtria të merr pushtetin, Sudani administrohej nga Këshilli Sovran i përbërë nga autoritetet ushtarake dhe civile, i cili po mbikëqyrte periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për vitin 2023, si pjesë e një pakti për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat për Liri dhe Ndryshim.