Ekip
06 Qershor 2019•Përditësim: 06 Qershor 2019
Numri i të vdekurve në ndërhyrjen ushtarake në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, është rritur në 108, dhe qindra njerëz janë plagosur, njoftoi të mërkurën Komiteti Qendror i Mjekëve të Sudanit (CDC), raporton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e viktimave janë tre fëmijë nga një familje, tha CDC, duke shtuar se ka mbi 230 të plagosur.
"Numri i të vdekurve u rrit në 108 sepse disa trupa u gjetën në lumin Nil, kurse tre fëmijët e një familjeje u vranë nga forcat për mbështetje të shpejtë", thuhet në njoftimin e CDC-së.
Dhuna u përshkallëzua pasi forcat sudaneze nisën një aksion për pastrimin e sheshit para Shtabit të Përgjithshëm ku ishte vendosur kampi kryesor i protestuesve. Organizatorët e protestave disa javore dhe dëshmitarë okularë pohojnë se ushtria ka përdorur forcë të tepruar për të shpërndarë demonstruesit paqësorë dhe ka përdorur armë zjarri.
Nga ana tjetër, Këshilli i Përkohshëm Ushtarak (TMC) mohon akuzat se tenton të shpërndajë demonstruesit. TMC pretendon se demonstruesit lirisht protestojnë, dhe se forcat sudaneze kanë ndërhyrë në një rajon pranë protestës.
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës kundër demonstruesve dhe qetësimin e situatës.
Pas protestave disa mujore anti-qeveritare, ushtria sudaneze rrëzoi presidentin, Omar al-Bashir në prill, i cili qeverisi me vendin që nga viti 1989.
Ushtria themeloi Këshillin e Përkohshëm Ushtarak që duhet të qeverisë vendin për një periudhë dy vjeçare. Opozita kundërshton sundimin e TMC-së dhe kërkon formimin e menjëhershëm të autoriteteve civile.