Necva Taştan Sevinç
11 Shkurt 2026•Përditësim: 11 Shkurt 2026
Autoritetet franceze vendosën 19 departamente në alarm portokalli sot, pasi Stuhia Nils solli reshje të dendura shiu, rrezik për përmbytje dhe erëra të forta në pjesë të mëdha të vendit, tha agjencia kombëtare e motit, Meteo-France, transmeton Anadolu.
Agjencia tha se sistemi i stuhisë do të prekë Francën nga e mërkura deri të enjten, duke sjellë "erëra të fuqishme dhe reshje të mëtejshme të konsiderueshme në shumë rajone".
Gjashtë departamente - Vendee, Charente-Maritime, Gironde, Landes, Haute-Corse dhe Corse-du-Sud - u vendosën në alarm portokalli për erëra të forta. Puy-de-Dome dhe Cantal ishin në alarm për reshje të dendura, ndërsa 13 departamente të tjera, përfshirë Ariege, Morbihan dhe Vendee, përballen me paralajmërime për përmbytje.
Po ashtu, 24 departamente pritet të vendosen në alarm portokalli të enjten.
Meteo-France parashikon erëra me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë, ndërsa në Korsikë ato mund të arrijnë 140 deri në 160 km/h. Përgjatë bregdetit të Atlantikut priten erëra prej 120 deri në 140 km/h, ndërsa zonat e brendshme jugperëndimore mund të përballen me erëra 100 deri në 110 km/h.
Shërbimi i monitorimit të përmbytjeve "Vigicrues" e përshkroi situatën si një "episod të konsiderueshëm, afatgjatë dhe të përhapur përmbytjesh" që prek pjesën më të madhe të vendit, duke theksuar se toka tashmë është e ngopur pas javësh me reshje të vazhdueshme.
Në një deklaratë të martën në mbrëmje, Ministria e Tranzicionit Ekologjik tha se reshjet e dendura kanë prekur Francën për disa javë, me Bretanjën veçanërisht të goditur, dhe paralajmëroi se nivelet e lumenjve po rriten në pjesën më të madhe të gjysmës perëndimore të vendit.
Autoritetet paralajmëruan se reshjet e vazhdueshme gjatë javës mund të shkaktojnë daljen nga shtrati të më shumë lumenjve dhe të çojnë në vendosjen e departamenteve të tjera në alarm, veçanërisht në jugperëndim.