Shpetim Hiseni
25 Qershor 2019•Përditësim: 26 Qershor 2019
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do të ishte mirë sikur të gjitha vendet anëtare të aleancës të ratifikon protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut deri në muajin dhjetor, kur do të mbahet samiti i liderëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Burksel para takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes që do të fillojë nesër, Stoltenberg tha se zgjerimi i NATO-s është një histori suksesi që ka ndihmuar në përhpajen e demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Evropë.
"Procesi i ratifikimit është duke shkuar shpejt", tha shefi i NATO-s, duke iu referuar ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare.
Për herë të fundit, tha Stoltenberg, kur Mali i Zi u bashkua, kjo zgjati një vit, dhe shtoi se kjo nuk varet prej tij, por nga parlamentet e vendeve anëtare për të vendosur se sa shpejt mund të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.
"Do të ishte mirë sikur të gjithë të përfundonin në dhjetor, kur ne do të kemi takimin e liderëve në Londër, por nëse nuk ndodh, unë pres që kjo të ndodhë menjëherë më pas", tha Stoltenberg.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut plotëson standardet e NATO-s dhe është në rrugën drejt bashkimit me aleancën si anëtari i 30-të i saj.
Në takimin që do të fillojë nesër në Bruksel do të marrë pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska.
Ndryshe, vendet anëtare nënshkruan protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut më 6 shkurt të këtij viti.
Protokolli duhet të ratifikohet në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtarë të Aleancës, në mënyrë që Maqedonia e Veriut zyrtarisht të bëhet anëtare e plotë.
Deri më tani, më shumë se gjysma e vendeve anëtare të NATO-s kanë ratifikuar protokollin. Vendi i parë që ratifikoi protokollin ishte Greqia.
Rruga e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në aleancë u hap pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë në qershor të vitit të kaluar.