Eshat Fırat
27 Dhjetor 2017•Përditësim: 27 Dhjetor 2017
KUDS (AA) – Ministri i Transportit dhe Inteligjencës së Izraelit, Yisrael Katz njoftoi se stacioni i trenit i cili do të ndërtohet në afërsi të Murit Perëndimor (Muri i Vajtimit) të Mesxhid-i Aksa-së, që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim, do të marrë emrin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, ministri izraelit i Transportit dhe Inteligjencës, Katz tha se kanë vendosur që stacioni i trenit, i cili do të ndërtohet në afërsi të Murit të Vajtimit do të marrë emrin e presidentit amerikan Donald Trump, pasi që ai ka dhënë vendimin për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në këtë qytet.
Në një deklaratë të mëparshme nga Ministria e Transportit të Izraelit thuhej se projekti i trenit me shpejtësi të lartë, i cili do të lidhë Tel Avivin dhe Kudsin Perëndimor me Murin e Vajtimit do të fillojë vitin e ardhshëm.
Palestinezët këtë projekt e shohin si pjesë të politikës së Izraelit për hebraizimin e Kudsit Lindor nën pushtim.
Presidenti amerikan, Trump, më 6 dhjetor e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.
Pas këtij vendimi u mbajtën protesta të shumta, duke filluar nga Kudsi Lindor i cili ndodhet nën pushtim si dhe në vende të ndryshme të Bregut Perëndim dhe në kufirin me Gazën, në të cilat ushtarët izraelitë po ndërhyjnë me plumba të vërtetë, plumba gome dhe gaz lotsjellës. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve 15 palestinezë kanë rënë dëshmorë kurse qindra të tjerë janë plagosur.
Kujtojmë se javën e kaluar AP-OKB me shumicë votash miratoi rezolutën për Kudsin kundër vendimit të Trumpit. Përkundër kërcënimeve të SHBA-ve rezultati i votimit ishte 128 pro, 9 kundër dhe 35 vota abstenim.