Necva Taştan Sevinç
09 Prill 2026•Përditësim: 09 Prill 2026
Spanja do të rihapë ambasadën e saj në Teheran për të mbështetur përpjekjet drejt një zgjidhjeje paqësore pas armëpushimit të arritur së fundmi midis SHBA-së dhe Iranit, ka thënë sot ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares, transmeton Anadolu.
Albares ka thënë se ka udhëzuar ambasadorin e Spanjës në Iran, Antonio Sanchez-Benedito, të kthehet në Teheran dhe të rifillojë operacionet diplomatike pasi ambasada ishte mbyllur përkohësisht më 7 mars, njofton gazeta "El Pais".
Duke folur pas mbërritjes në Kongresin spanjoll, Albares ka thënë se vendimi pasqyron “situatën e re” të krijuar nga marrëveshja dyjavore e armëpushimit. Ai ka deklaruar se ka biseduar të mërkurën me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, për ta informuar për këtë veprim, duke shtuar se ky hap vë në pah përkushtimin e Madridit për të kontribuuar në përpjekjet për paqe.
Albares gjithashtu ka zhvilluar bisedime me disa homologë rajonalë, përfshirë ministrat e jashtëm të Omanit, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit si dhe të Libanit.
Në një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Libanit, Youssef Raggi, ai shprehu mbështetjen e Spanjës përballë asaj që e përshkroi si sulme izraelite “brutale dhe pa dallim” ndaj Libanit, duke i quajtur ato “një turp për ndërgjegjen e gjithë njerëzimit”.
I pyetur për një lajm në "Wall Street Journal" se SHBA-ja mund të shqyrtojnë mbylljen e bazave ushtarake në vendet që nuk kanë mbështetur veprimet e saj, përfshirë Spanjën dhe Gjermaninë, Albares tha se nuk ka informacion për këtë çështje.
Ai tha se kontaktet dypalëshe me Washingtonin lidhur me përdorimin e bazave ajrore Rota dhe Moron janë në vazhdim dhe se të dy objektet po funksionojnë “plotësisht normalisht”.
Irani dhe SHBA-ja njoftuan një armëpushim dyjavor të martën, me qëllim hapjen e rrugës për një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Washingtoni dhe Izraeli kundër Teheranit më 28 shkurt, e cila ka lënë shumë të vrarë dhe të plagosur.
Njoftimi erdhi më pak se dy orë para skadimit të një afati që presidenti amerikan Donald Trump e kishte shtyrë vazhdimisht për Iranin që të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe të pranonte një marrëveshje, ose të përballej me atë që ai e përshkroi si “shkatërrimin e një civilizimi të tërë”.