Ekip
05 shkurt 2021•Përditësim: 05 shkurt 2021
Forcat somaleze vranë tetë kryengritës të grupit militant al-Shabaab, të cilët shkrepën mortaja në drejtim të një delegacioni qeveritar të udhëhequr nga presidenti dhe kryeministri i vendit, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryengritësit e lidhur me al-Kaidën shkrepën të paktën 13 predha mortajash në qytetin Dhusamareb ku udhëheqësit po mbanin një konferencë rreth zgjedhjeve të ardhshme të vendit.
Sipas transmetuesit shtetëror, Televizioni Kombëtar i Somalisë (SNTV), forcat somaleze kapën një kryengritës dhe sekuestruan armë në një operacion jashtë qytetit Dhusamareb.
Forcat e sigurisë u përplasën me terroristët ndërsa patrullonin në periferi të qytetit kur terroristët filluan breshërinë e predhave të mortajave.
Ushtria shpërndau imazhe dhe pamje të automjeteve, mortajave dhe armëve të vogla të përdorura nga kryengritësit gjatë sulmit.
Pas presionit ndërkombëtar, presidenti Mohamed Abdullahi Mohamed u bëri thirrje udhëheqësve rajonalë në fillim të kësaj jave që të marrin pjesë në samitin konsultativ treditor në Dhusamareb për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura rreth mbajtjes me kohë të zgjedhjeve të besueshme në vend.
Mandati i presidentit do të skadojë më 8 shkurt, ndërkaq, vendi tashmë ka humbur dy herë afatin për zgjedhjet parlamentare.