Erkan Avci
27 Gusht 2016•Përditësim: 27 Gusht 2016
WASHINGTON (AA) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin terrorist të kryer nga terroristët e PKK-së ndaj komisariatit të policisë në rajonin Cizre të qytetit Şırnak dhe sulmin terrorist të ndërmarrë ndaj autokolonës së kryetarit të përgjithshëm të Partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë, Ned Price, në një deklaratë me shkrim u shpreh: "SHBA-ja dënon në mënyrën më të ashpër sulmin terrorist të ndërmarrë në një qendër policie në jug-lindje të Turqisë që ka shkaktuar vdekjen e disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve."
Duke vënë në dukje se organizata terroriste PKK ka marrë përsipër autorësinë e sulmit, ai ka theksuar se ky është i fundit nga aktet e PKK-së që bëhet gjithnjë e më alarmues në Turqi.
Ndër të tjera Price u shpreh se lutjet dhe mendimet janë me familjarët dhe të afërmit e personave që kanë humbur jetën si dhe ka uruar shërim të shpejtë për personat e plagosur.
Gjithashtu Price ka dënuar edhe sulmin e kryer në rajonin Şavşat të qytetit Artvin ndaj autokolonës së kryetarit të përgjithshëm të Partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu.
Në deklaratë thuhet se "Vazhdojmë me vendosmëri mbështetjen tonë ndaj aleatit në NATO dhe partnerit tonë Turqisë, e cila vazhdon të ndikohet nga sulmet terroriste që kanë në objektiv pa dallim personelin e sigurisë dhe civilët. Ne jemi në kontakt të afërt me autoritetet turke dhe në luftën kundër terrorizmit ne riafirmojmë angazhimin për të punuar me Turqinë".