Saimir Alija
02 Maj 2019•Përditësim: 03 Maj 2019
TIRANË (AA) - Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë në bashkëpunim me Komisionin Ekonomik të Evropës të Kombeve të Bashkuara (UNECE) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat) organizuan sot në Tiranë konferencën me temë: "Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri", raporton Anadolu Agency (AA).
E pranishme në konferencë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj tha se kjo është konferenca e parë që zhvillohet në Shqipëri dhe që ka në fokus hartimin e politikave të duhura të bazuara në tregues dhe indikator për strehimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin urban.
Sipas Denajt, zhvillimi i politikave mbi bazë evidencash është një praktikë e cila rrit transparencën e vendimmarrjes politike.
“Kjo është një metodë e cila na lejon të shikojmë në perspektivë më afatgjatë dhe të mos mjaftohemi vetëm me matjen e produkteve në momentin që flasim. Kryesore është impakti afatgjatë i politikave dhe ndikimi i ndërsjellë në politikat ndërsektoriale”, shtoi ajo.
Më tej gjatë fjalës së saj, Denaj tha: “Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka një eksperiencë të çmuar në drejtim të hartimit të politikave me bazë evidencash. Planifikimi afatmesëm i fondeve buxhetore kërkon mbështetjen e strategjsë sektoriale, që përcaktojnë qellimet dhe objektivat vjetore të politikave”, tha Denaj.
Duke folur për strehimin, ajo nënvizoi se është një nga objektivat sociale të shtetit shqiptar dhe është në fokus të politikave qeveritare në strategjinë për strehimin social.
“Vitin e kaluar u miratua ligji i ri për strehimin social, i cili parashikon disa programe që adresojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. Këto politika janë shoqëruar dhe me buxhete, ku ai përsoi një rritje me 30 për qind. Janë ndërtuar 1138 apartamente sociale me qera të cilat janë në pronësi të 8 bashkive të ndërtuara me fondet e tyre. Politikat e strehimit pas vitit 2013 kanë një fokus më të përqendruar në zgjidhjen e problemeve të familjeve të varfëra”, deklaroi Denaj.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij tha është hera e parë që kemi një paketë mbështetëse, ku strehimi nuk është vetëm pasja e një çatie mbi kokë, por është një paketë mbështetëse si, fushata e vaksinimit për fëmijët etj.
“Kemi ndërtuar në Tiranë një etalon të asaj që mund të quhet ekosistemi që mbështet strehimin social. Disa gjëra kanë ndryshuar për mirë si për shembull ligji që i kërkon ndërtuesve që 3 për qind e ndërtesave të reja të vendosen në fondin e banesave sociale. Jemi një nga vendet e rralla në rajonin tonë që e kemi këtë politikë dhe duhet ta fusim qe vitin tjetër në aplikim”, deklaroi Veliaj.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së janë eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo, eliminimi i urisë, sigurimi i jetës së shëndetshme, sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës, arritja e barazisë gjinore, etj.