Mahmut Atanur
22 Maj 2018•Përditësim: 22 Maj 2018
XHAKARTË (AA) - Pas shpërthimit të vullkanit më aktiv në Indonezi, Merapi, niveli i rrezikut është rritur në shkallën e dytë dhe qindra njerëz që jetojnë pranë zonës së rrezikuar janë evakuuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendra indoneziane për Vullkanologji dhe Menaxhim me Rreziqe Gjeologjike (PVMBG) raportoi se nga dita e djeshme janë regjistruar katër shpërthime të vogla.
Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhim me Katastrofa, Sutopo Purwo Nugroho, tha se janë evakuuar 660 banorët që jetojnë pranë zonës së vullkanit.
Për shkak të shpërthimit të Merapi më 11 maj, banorët e vendeve të afërta u strehuan në zona më të sigurta, kurse aeroporti Adi Sucipto në Yogyakarta u mbyll përkohësisht.
Merapi ndodhet në një mal në mes të Yogyakarta dhe Java Qendrore, në një lartësi prej 2,968 metra dhe është më aktiv prej rreth 500 vullkaneve në Indonezi. Shpërthimi i fundit i tij i madh në vitin 2010 mori 347 jetë dhe shkaktoi evakuimin e 20,000 banorëve.