Büşra Selvi Öğütcen
22 Qershor 2023•Përditësim: 23 Qershor 2023
Rritet në 46 numri i të burgosurve që kanë humbur jetën në përleshjen e shënuar në burgun e grave në shtetin e Amerikës Qendrore, Honduras, transmeton Anadolu.
Njoftohet se edhe 5 gra të tjera kanë humbur jetën në trazirat dhe përleshjet që u shënuan ditë më parë në burgun e grave në zonën Tamara në kryeqytetin Tegucigalpa të Hondurasit.
Në sherrin mes bandave Mara Salvatrucha dhe Barrio 18, thuhet se 26 gra u vranë duke u djegur ndërsa 20 të tjera me armë ose me thikë.
Bëhet e ditur se vazhdojnë trajtimin në spital 7 gra që u plagosën në ngjarjet ku të burgosurat u mbyllën nëpër qeli dhe u dogjën.
- Ministri i drejtësisë shkarkohet nga detyra
Presidentja e Hondurasit, Xiomara Castro i ka cilësuar "jashtëzakonisht të tmerrshme" ngjarjet.
Castro ka deklaruar se rebelimi është planifikuar nga bandat e rrugëve "me dijeninë dhe pëlqimin e zyrtarëve të sigurisë".
Presidentja Castro, shkarkoi nga detyra ministrin e sigurisë, Ramon Sabillo dhe në vend të tij emëroi drejtorin e përgjithshëm të policisë, Gustavo Sanchez.
Në anën tjetër zëdhënësi i ministrisë së sigurisë, Miguel Martinez, ka shprehur se sulmi ka qenë i "planifikuar".
Martinez, vuri në dukje se kamerat e sigurisë po regjistronin deri në momentet kur anëtarët e bandës neutralizuan gardianët dhe morën çelësat, ndërsa më pas janë thyer.
Më 20 qershor, një trazirë dhe përleshje shpërtheu në burgun e grave në zonën Tamara në kryeqytetin Tegucigalpa të Honduras-it.
Për shkak të përleshjeve mes bandave Mara Salvatrucha dhe Barrio 18, përreth burgut u dërguan forca të shumta sigurie.