Ayhan Şimşek
19 janar 2023•Përditësim: 19 janar 2023
Sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka mbërritur në Berlin për bisedime me homologun e tij të sapoemëruar gjerman, Boris Pistorius, mbi mbështetjen ushtarake për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Mezi pres të takohem me ministrin gjerman Pistorius dhe ministrin federal (Wolfgang) Schmidt për të diskutuar prioritetet tona të përbashkëta të mbrojtjes dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes demokracive", shkroi Austin para takimit me homologun e tij gjerman.
Pistorius zëvendësoi ish-ministren Christine Lambrecht, e cila dha dorëheqje pas një sërë dështimesh politike dhe kritikave ndaj saj për furnizimin e ngadaltë të armëve në Ukrainë.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, për mediat amerikane tha se sigurimi i Ukrainës me mjete të blinduara luftarake dhe tanke do të jetë ndër çështjet kryesore që do të diskutohen në takimin Austin-Pistorius.
Qeveria gjermane deri më tani ka qenë në mëdyshje për dërgimin e tankeve luftarake të tipit ‘Leopard 2’ në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve në rritje nga aleatët e saj perëndimorë.
Zyrtari amerikan theksoi se disa aleatë, si Polonia dhe Finlanda, janë të gatshëm t’i ofrojnë Ukrainës tanke ‘Leopard’ të prodhimit gjerman, por ata kanë nevojë për miratimin e Gjermanisë për transferimit nga palët e treta.
Një nga fokuset gjatë vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes, tha zyrtari, është që të punojë me Gjermaninë për të "zhbllokuar atë vendim".
Dje, kancelari gjerman, Olaf Scholz, premtoi mbështetje ushtarake shtesë për Ukrainën, por shprehu pavendosmëri për dërgimin e tankeve luftarake ‘Leopard’.
Kur u pyet për tanket ‘Leopard’ gjatë një paneli në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Scholz u përgjigj i matur.
"Ukrainasit mund të mbështeten në mbështetjen tonë për luftën e guximshme, por gjithashtu është e qartë se ne do t’i shmangemi që kjo të kthehet në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s", tha Scholz.
Gjatë ditës së nesërme, Austin në bazën e forcave ajrore Rammstein të Gjermanisë do të takohet me Grupin e Kontaktit të Ukrainës për të diskutuar dërgimin e automjeteve të blinduara luftarake dhe tankeve në Ukrainë.