Shefi i diplomacisë iraniane nesër viziton Turqinë
Fidan në takimin me ministrin iranian pritet të theksojë se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Iran
Stamboll
Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, gjatë ditës së nesërme do të vizitojë Turqinë për të diskutuar mbi çështjet dypalëshe dhe rajonale, raporton Anadolu.
Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë bisedimeve që do të zhvillohen si pjesë e vizitës së ministrit iranian, ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan do të theksojë se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit, dy vende me lidhje historike, janë me rëndësi kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
Fidan do të theksojë vullnetin e Ankarasë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe përmes mekanizmave të tillë si Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Iran, i cili u krijua në vitin 2014. Burimet thanë se diskutimet pritet të theksojnë rëndësinë e rritjes së përpjekjeve të ndërsjella për të përmbushur qëllimin e rritjes së vëllimit të tregtisë dypalëshe në 30 miliardë dollarë.
Në këtë drejtim, Fidan do të shprehë dëshirën për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve në fushat e tregtisë, energjisë, transportit dhe lidhjes, përfshirë qendrat tregtare kufitare. Ai pritet të theksojë se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Iran dhe të potencojë se siguria, paqja dhe stabiliteti i Iranit janë me rëndësi të madhe për Turqinë.
Shefi i diplomacisë turke do të përsërisë kundërshtimin e Ankarasë ndaj ndërhyrjeve ushtarake kundër Iranit dhe do të nxjerrë në pah rreziqet që një hap i tillë mund të krijojë në nivel rajonal dhe global.
Fidan do të shprehë gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në zgjidhjen e tensionit aktual përmes dialogut. Ai do të deklarojë se Ankaraja mbështet arritjen e një zgjidhjeje paqësore lidhur me programin bërthamor të Teheranit në një kohë të shkurtër dhe se është gati të ofrojë ndihmë nëse është e nevojshme.
Duke marrë parasysh rolin në zhvillimet e fundit në Iran të PKK/PJAK-së, degës iraniane të grupit terrorist PKK, Fidan do të theksojë se ngjarjet e fundit tregojnë nevojën urgjente për të neutralizuar plotësisht PJAK-në për sigurinë e Iranit.
Fidan do të theksojë se me krijimin e mekanizmave që përfshijnë Turqinë si pjesë e fazës së dytë të planit të paqes në Gaza, Ankaraja i jep përparësi zbatimit të shpejtë të masave konkrete në terren, përfshirë shpërndarjen e pandërprerë të ndihmës së mjaftueshme humanitare.
Ai do të shprehë mbështetjen e Turqisë për rindërtimin e Gazës, i cili do të realizohet me qëllim krijimin e kushteve që do t'u lejojnë banorëve të Gazës të qëndrojnë në tokën e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Fidan do të theksojë nevojën që vendet e rajonit të veprojnë me solidaritet dhe bashkëpunim në përgjigje të veprimeve të Izraelit që synojnë stabilitetin rajonal.
Kryediplomati turk gjatë bisedimeve do të theksojë se forcimi i paqes dhe sigurisë në Siri do të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Fidan do të potencojë rëndësinë e Marrëveshjes së Armëpushimit dhe Integrimit të Plotë në Siri për të siguruar mbrojtjen e integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të vendit.
Ministri turk gjithashtu do të theksojë rëndësinë e ruajtjes së armëpushimit në Siri për të parandaluar çdo dobësi në transferimin e terroristëve të DEASH-it.
- Lidhjet dypalëshe dhe kontaktet e ndërsjella
Takimi i 8-të i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Iran u mbajt në Ankara më 24 janar të vitit 2024, nën bashkë-kryesimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit të ndjerë iranian, Ebrahim Raisi.
Për herë të fundit, Erdogan u takua me presidentit iranian, Masoud Pezeshkian më 1 shtator të vitit 2025, gjatë Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Tianjin të Kinës.
Ndërkohë, Fidan zhvilloi vizitën e tij të fundit në Iran më 30 nëntor të vitit 2025 dhe u takua me presidentin Pezeshkian, kryetarin e Asamblesë Konsultative Islamike të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani si dhe me homologun e tij iranian Araghchi.
Araghchi, nga ana e tij, zhvilloi vizitën e tij të fundit dypalëshe në Turqi më 2 dhjetor të vitit 2024. Ai vizitoi Turqinë më 21 qershor të vitit 2025 me rastin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.
Vëllimi i përgjithshëm tregtar midis Turqisë dhe Iranit arriti në rreth 5 miliardë dollarë deri në nëntor të vitit 2025, me eksportet turke në Iran në 2.75 miliardë dollarë dhe importet në 2.25 miliardë dollarë.
