Yassine Aydi,Çağrı Koşak
16 Qershor 2020•Përditësim: 16 Qershor 2020
Komanda e Forcave Amerikane në Afrikë (AFRICOM) ka njoftuar se 2 mijë ushtarë të paguar të kompanisë ruse të sigurimit Wagner po luftojnë në radhët e forcave të paligjshme me bazë në lindje të Libisë të udhëhequra nga Halifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nicole Kirschmann, përgjegjëse për marrëdhënie me opinoinin në AFRICOM, tha për kanalin televiziv „February“ me qendër në Tripoli se paqja dhe stabiliteti janë të nevojshme në Libi për të garantuar sigurinë në rajon.
Kirschmann theksoi se "AFRICOM supozon se aktualisht janë 2 mijë njerëz në Libi që janë anëtarë të kompanisë ruse Wagner".
Duke theksuar se kompanitë ruse të mbështetur nga Kremlini zyrtar po e destabilizojnë Afrikën, Kirschmann tha se është e nevojshme që zgjidhja për Libinë të jetë përmes rrugës politike.
Kompania ruse Wagner, mbështetëse e forcave të Haftarit
Kompania e sigurisë Wagner që i përket Yevgeny Prigozhin i cili njihet me nofkën "shefi" për shkak se drejton punën e ushqimit në rezidencën e Kremlinit, është e njohur për ushtarët e saj të paguar dhe veprimet politike në Siri, Ukrainë, Libi dhe vendet afrikane.
Sipas një raporti të OKB-së, mbi 1.000 trupa të paguar nga Wagner janë duke luftuar në vijën e parë të frontit duke mbështetur Haftarin, ndërsa emri Wagner përmendej shpesh edhe gjatë aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së Moskës për forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Qeveria libiane thotë se në frontin në jug të Tripolit ka gjetur trupin e një ushtari të huaj të paguar, për çka është nisur një hetim, ndërsa rezultatet e hetimit do të ndahen me bashkësinë ndërkombëtare.