SHBA, të paktën 34 të vdekur si pasojë e stuhisë dimërore
Disa rajone mund të mos shohin temperatura mbi zero deri në fillim të shkurtit
Ankara
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën ndërsa miliona njerëz përgatiten për të ftohtin ekstrem që ka përfshirë pjesë të mëdha të SHBA-së këtë javë, transmeton Anadolu.
Alarme për mot të ftohtë janë lëshuar për pjesën më të madhe të SHBA-së qendrore dhe lindore, me një vorbull polare që pritet të shënojë rekorde në disa pjesë të zonave jugore dhe verilindore këtë javë.
Disa rajone mund të mos shohin temperatura mbi zero deri në fillim të shkurtit. Midwest, në veçanti, parashikohet të goditet nga temperatura jashtëzakonisht të ftohta.
Një grua në Kansas vdiq për shkak të hipotermisë, një grua tjetër në Massachusetts vdiq pasi u godit nga borëpastruesja, sipas policisë, dhe tre persona vdiqën në Tennessee për shkak të vdekjeve të lidhura me motin, tha Departamenti i shëndetësisë i shtetit.
Zyrtarët, të cituar nga "New York Times", raportuan se të paktën tetë persona u gjetën të vdekur gjatë fundjavës në New York.
Era ka të ngjarë ta bëjë të ndihet më e ftohtë nga sa mund të sugjerojë termometri në shumë pjesë të vendit.
Për shumë njerëz, fronti i ftohtë nuk mund të vinte në një kohë më të keqe. Qindra mijëra njerëz në 11 shtete janë pa energji elektrike, përfshirë mbi 29 mijë njerëz në Teksas, 182 mijë në Tenesi, 140 mijë në Misisipi dhe 100 mijë në Luiziana.
Në total, gati 539 mijë njerëz janë pa energji elektrike, sipas të dhënave të fundit nga faqja e internetit PowerOutage.us.
