Bilgin S. Şaşmaz
04 Tetor 2017•Përditësim: 04 Tetor 2017
LAS VEGAS (AA) – Në vende të ndryshme të qytetit Las Vegas të SHBA-ve po organizohen ceremoni përkujtimore për ata që humbën jetën në sulmin e armatosur të ditës së dielë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia më e madhe u organizua në Mountain Crest Park, afro 30 kilometra në largësi prej qendrës së qytetit. Në ceremoni ku morën pjesë qindra qytetarë, u ndezën 59 qirinj për ata që humbën jetën në sulmin terrorist.
Turistët dhe qytetarët po vendosin lule dhe qirinj të ndezur në shumë pika përkujtimore për viktimat të vendosura në vende të shumta të qytetit.
Në anën tjetër, policia ka zgjeruar masat e sigurisë të cilat përfshinin fushën e koncertit ku është kryer sulmi, përfshirë gjithë qytetin.
Ndërkohë vazhdojnë hetimet e Zyrës Federale të Hetimit (FBI) në vendin e ngjarjes. Pritet që edhe presidenti amerikan, Donald Trump të vizitojë qytetin.
Mbrëmjen e së dielës amerikani Stephen Paddock hapi zjarr ndaj personave në një ambient të hapur në një festival muzikor nga kati i 32-të i hotelit, i cili ndodhej në anën tjetër të rrugës.
Në sulm humbën jetën të paktën 59 persona, kurse 527 të tjerë u plagosën, kurse agresori kreu vetëvrasje pas sulmit.