Muhammed Bilal Kenasari
20 Dhjetor 2017•Përditësim: 20 Dhjetor 2017
WASHINGTON (AA) - Pretendohet se Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, u ka dërguar një e-mail diplomatëve të huaj para votimit ndaj rezolutës për Kudsin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me të cilin ka kërcënuar që të mos votohet kundër vendimit për Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në e-mailin e zbuluar nga faqja e internetit "Foreign Policy" thuhet se Haley ka paralajmëruar vendet tjera anëtare të OKB-së.
"Foreign Policy" njofton se Haley ka shkruar "Dua që ju ta dini se Presidenti dhe SHBA e perceptojnë këtë votim si një çështje personale kur mendoni për të votuar".
Haley ka theksuar se votat që vendet do të japin në lidhje me Kudsin do t'i raportohen presidentit Trump.
Në e-mail ajo ka shkruar: "Presidenti do të ndjekë nga afër votimin dhe nga unë ka kërkuar raportin e vendeve që kanë votuar kundër nesh. Sa i përket kësaj çështjeje do t'i shënojmë të gjitha votat".
Ajo ka bërë të ditur se nuk pret që vendet e tjera të zhvendosin ambasadat e tyre në Kuds ashtu si SHBA-të dhe ka potencuar se "kjo është situata që duhet të jetë".
Në votimin e zhvilluar javën e kaluar ndaj rezolutës së Kudsit të propozuar nga Egjipti në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), SHBA mbeti vetëm në mesin e 15 vendeve pasi vendet e tjera votuan kundër.
Votimi i 14 vendeve anëtare të KS-OKB-së në favor të rezolutës për Kudsin ndaj të cilës u vendos veto vetëm nga SHBA-të, tregoi se vendimi i njëanshëm i SHBA-ve për Kudsin nuk ka gjetur mbështetje në opinionin publik ndërkombëtar.