Ekip
18 Tetor 2017•Përditësim: 18 Tetor 2017
SEUL (AA) – SHBA-të, Koreja e Jugut dhe Japonia prezantuan një front të bashkuar, pasi diplomatët drejtues të tyre u mblodhën në Seul për bisedime që synonin parandalimin e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Kang Kyoung-hwa, tha se të tre palët do të duhet të përmirësojnë bashkëpunimin për të larguar armët bërthamore në mënyrë paqësore nga Gadishulli Korean.
Kang takoi zëvendës sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, John Sullivan dhe zëvendësministrin japonez Shinsuke Sugiyama, para se palët të zhvillojnë bisedime me homologun e tyre të Koresë së Jugut, Lim Sung-nam.
“Shpresoj që tre zëvendësministrat të zhvillojnë diskutime në detaje dhe bazuar në to, të tre vendet kërkojnë koordinim shumë më të ngushtë në nivele ministrore dhe udhëheqëse”, ka thënë Kang.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, muajin e ardhshëm personalisht do të vizitojë Korenë e Jugut dhe Japoninë, megjithëse Washington-i ende është në procesin për plotësimin e pozicionit të ambasadorit të saj në Seul, që është i hapur që nga janari.
Gjatë kësaj periudhe janë parë lançime të shumta të raketave balistike të Koresë së Veriut dhe teste bërthamore, gjë e cila pasoi me vendosjen e sanksioneve të ashpra të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, bombarduesit strategjikë amerikanë dhe mjetet detare janë në dhe rreth Gadishulit këtë javë për stërvitje dhe për një ekspozitë që synon demonstrimin e forcës ushtarake të aleatëve.