Betül Yürük
28 Mars 2019•Përditësim: 28 Mars 2019
SHBA-ja ka mbetur vetëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me vendimin e saj për Lartësirat e Golanit ndërsa 14 vendet e tjera anëtare janë bashkuar në vendimin se rajoni nën pushtim nuk është territor i Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
KS-OKB u mblodh me kërkesë të Sirisë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump njohu sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit.
Koordinatori politik i përfaqësuesit të përhershëm të SHBA-ve në OKB, Rodney Hunter në fjalimin e tij në KS tha se "Nëse Lartësirat e Golanit lejohen të kontrollohen nga regjimi sirian dhe Irani do të ishte tolerim ndaj sulmeve të regjimit, Iranit dhe Hezbollahut kundër Izraelit".
"Ky vendim ka rëndësi kritike strategjike për sigurinë e Izraelit dhe SHBA beson se do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit", tha më tej Hunter i cili gjithashtu ka theksuar se vendimi i SHBA-ve për Golanin nuk do të ndikojë tek Forcat e OKB-së për vëzhgimin e armëpushimit (UNDOF) në vijën e armëpushimit Siri-Izrael dhe se misioni i paqes duhet të qëndrojë në rajon.
Por, SHBA-ja me këtë vendim të njëanshëm që ka marrë ka mbetur vetëm në KS-OKB, ku 14 anëtarët e tjerë të Këshillit janë bashkuar në çështjen se rajoni nën pushtim nuk është territor i Izraelit.
Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vladimir Safronkov tha se ky vendim arbitrar dhe kundër rendit botëror është i destinuar të dështojë. "Ky vendim, të cilin SHBA e ka marrë në mënyrë të njëanshme pavarësisht çdo arsyeje, nuk do të ndryshojë asnjë ligj ndërkombëtar".
Gjithashtu edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Këshill ndajnë mendimin e tyre se vendimi i SHBA-ve për Lartësirat e Golanit është në kundërshtim me rezolutat e KS-OKB-së.
Anëtarët e përhershëm të KS-OKB-së, Franca dhe Britania e Madhe si dhe anëtarët e përkohshëm Belgjika, Gjermania dhe Polonia duke iu referuar rezolutave 242, 338 dhe 497 të KS-OKB-së kanë thënë se Lartësirat e Golanit nuk janë territor i Izraelit.
Ndërsa përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, Bashar Jaafari kritikoi ashpër SHBA-në dhe Izraelin.
Duke dënuar vendimin e Trumpit për Lartësirat e Golanit, Jaafari tha se "SHBA kundërshton angazhimet e saj. Keni sjellë turp për vendin tuaj. Ky është një vendim i turpshëm. Veprimet amerikane janë të rrezikshme sepse ato përfaqësojnë një tendencë të pamenduar dhe të pashembullt për të shtrembëruar politikën ndërkombëtare".
Vendimi i parë numër 497 i marrë nga KS-OKB pasi Izraeli aneksoi Lartësirat e Golanit në vitin 1981, del kundër pushtimit izraelit dhe thuhet se "Vendimi i Izraelit për të zbatuar ligjet, gjyqësorin dhe administrimin e tij në Lartësirat e pushtuara të Golanit është i pavlefshëm dhe nuk ka vlefshmëri ligjore ndërkombëtare".
Izraeli që nga viti 1967 mban nën pushtim Lartësirat e Golanit, të cilat janë territor i Sirisë.