Michael Gabriel Hernandez
11 Mars 2021•Përditësim: 12 Mars 2021
Konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Los Angeles, Can Oguz, ka theksuar se lirimi i personit të dënuar në vrasjen e vitit 1982 të konsullit të përgjithshëm turk "do të krijojë një precedent të rrezikshmërisë që vetëm do të trimërojë ekstremistët e dhunshëm", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Është një vendim i mjerueshëm i bazuar në konsiderata të vogla politike. Mos apelimi i urdhrit të gjykatës për rrëzimin e vetos së lirimit të Hampig Sassounian-it është një shpërfillje e plotë dhe e pamatur për parimet themelore të ligjit", tha Oguz në një reagim me shkrim.
Sassounian u dënua për të shtënat fatale mbi diplomatin turk, Kemal Arikan, i cili ishte i ulur brenda makinës së tij në një kryqëzim në Los Angeles pothuajse tre dekada më parë.
Vendimet e mëparshme gjyqësore për të liruar me kusht vrasësin u bllokuan nga guvernatorët e Kalifornisë, përfshirë guvernatorin aktual, Gavin Newsom. Por së fundmi, Newsom ndryshoi orientimin, duke njoftuar se ai nuk do ta apelojë vendimin e Gjykatës Supreme të qytetit Los Angeles për lirimin e Sassounian-it.
"Kjo është një ditë e trishtuar për familjen e Kemal Arikan-it, popullin e Turqisë dhe luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit", tha Oguz.
Shumica dërrmuese e sulmeve ndaj diplomatëve dhe qytetarëve turq në vitet e 70'ta dhe 80'ta u kryen nga grupet ASALA dhe JCAG, grupe të listuara si terroriste në SHBA dhe Turqi. Sassounian i përkiste grupit JCAG.
Sulmet ndodhën në të gjithë globin, përfshirë në SHBA, Austri, Francë, Itali, Spanjë, Liban, Greqi, Zvicër, Holandë, Kanada, Portugali, Iran dhe Mbretëri të Bashkuar.