Kasım İleri
20 janar 2023•Përditësim: 20 janar 2023
Zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel në pyetjen e gazetarit grek nëse përfshihet apo jo në kuadër të sanksioneve kërkesa e Türkiye-s për blerjen e F-16, ka dhënë përgjigje duke i rikujtuar se SHBA-ja ka lidhje të thella mbrojtëse me Türkiye-n, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, gazetari grek pyeti nëse kërkesa e Türkiye-s për të blerë F-16 përfshihet apo jo në kuadër të Aktit Kundër Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) .
Patel vuri në dukje se gazetari edhe javën e kaluar ka parashtruar të njëjtën pyetje dhe se i është dhënë përgjigje, ndërsa më tej shtoi se çdo shitje ushtarake trajtohet dhe vlerësohet veçmas dhe se nuk ka vlerësim specifik në çështjen e sanksioneve CAATSA.
Ai rikujtoi se presidenti amerikan Joe Biden në qershor ka thënë se është e nevojshme që Türkiye-s t'i shiten avionët F-16 dhe t'i modernizohen flotat e F-16.
"Megjithatë nëse do të flasim në përgjithësi, SHBA-ja i kushton rëndësi të madhe partneriteteve të saj me aleatët në NATO. Mes nesh dhe Türkiye-s ka lidhje afatgjata dhe të thella të mbrojtjes dypalëshe dhe ndërveprueshmëria e Türkiye-s me NATO-n është një nga prioritetet e rëndësishme të kësaj administrate", tha Patel.
Në vitin 2017, Kongresi Amerikan miratoi CAATSA-n si një ligj sanksionues në shkallë të gjerë kundër armiqve të tij në botë, kryesisht Rusisë.
Në CAATSA përfshihen edhe pika për zbatimin e sanksioneve kundër vendeve që bëjnë shitblerje të mëdha ushtarake me Rusinë dhe ky ligj u zbatua në ditët e fundit të ish-presidentit Donald Trump edhe ndaj Türkiye-s për shkak të blerjes së S-400, por që këto sanksione të cilat shënjestronin Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Türkiye-s (SSB), nuk përfshinin ndonjë pikë kundër Ministrisë turke të Mbrojtjes.
Duke qenë se Türkiye kërkesën e saj për blerjen e F-16 nga SHBA-ja e ka bërë përmes Ministrisë së Mbrojtjes, kjo kërkesë nuk përfshihet në kuadër të CAATSA-s.