Faruk Hanedar
26 maj 2023•Përditësim: 30 maj 2023
Departamenti i Thesarit të SHBA-së njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj liderit të kompanisë ushtarake private ruse "Wagner" në Mali, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Departamenti thuhet se arsyeja e vendosjes së sanksioneve ndaj Ivan Maslov, liderit të grupit "Wagner" në Mali është se "Kremlini përdor Malin për t'u dërguar armë forcave ruse në Ukrainë".
Më tej thuhej se Maslov po përpiqet të blejë mina, mjete ajrore pa pilot dhe sisteme të ndryshme armësh nga furnitorë të huaj për t'ua dorëzuar forcave ruse në Ukrainë.
Duke theksuar se SHBA-ja është kundër përpjekjeve të çdo vendi për të ndihmuar Rusinë përmes grupit "Wagner" në deklaratë thuhet: "Grupi 'Wagner' po përpiqet të fshehë përpjekjet e tij për të blerë pajisje ushtarake për përdorim në Ukrainë, përfshirë aktivitetet e tij në Mali".
Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson tha se "Sanksionet nënkuptojnë identifikimin dhe ndërprerjen e një ekzekutivi kyç që mbështet operacionet globale të grupit 'Wagner'".
Ai theksoi se prania e grupit "Wagner" në kontinentin afrikan është destabilizuese për vendet në rajon.