Felix Nkambeh Tih
18 Nëntor 2020•Përditësim: 18 Nëntor 2020
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo ka dënuar një sulm kundër Eritresë nga forcat e armatosura separatiste nga rajoni Tigray i Etiopisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne dënojmë fuqishëm sulmin nga Fronti i Çlirimit të Popullit të Tigray-t kundër Eritresë dhe përpjekjet për të ndërkombëtarizuar konfliktin", tha Pompeo mbrëmë vonë.
Më 4 nëntor, Etiopia filloi atë që e përshkroi si një operacion të zbatimit të ligjit në Tigray pasi forcat e Frontit të Çlirimit të Popullit të Tigray-t (TPLF) sulmuan komandën veriore të ushtrisë federale të stacionuar në të gjithë rajonin Tigray, duke lënë të vrarë ushtarë dhe duke plaçkitur pasuritë ushtarake.
Të dielën u raportua një sulm me raketa në kryeqytetin e Eritresë, një vend në verilindje të Afrikës, nga kufiri i provincës Tigray të Etiopisë.
"Ne kërkojmë nga TPLF dhe autoritetet etiopiane të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të rivendosur paqen dhe për të mbrojtur civilët", shtoi Pompeo.
Kryeministri etiopian, Abiy Ahmed dje tha se përderisa ultimatumi tre-ditor i dorëzimit i dhënë luftëtarëve të TPLF-së kishte mbaruar, masat përfundimtare të zbatimit të ligjit do të merren në ditët në vijim.
Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Abiy falënderoi ata që iu dorëzuan Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Etiopisë, duke theksuar se "ato forca speciale dhe milicia vepruan me përgjegjësi për të shpëtuar njerëzit e tyre".
Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar se një krizë humanitare në shkallë të plotë po kanoset në Etiopi pasi mbi 27 mijë refugjatë kanë ikur për siguri në Sudanin lindor brenda dy javësh.