Ekip
02 Shtator 2017•Përditësim: 03 Shtator 2017
SEUL (AA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka rënë dakord "në parim" për të lejuar Korenë e Jugut të armatoset me raketa balistike më të fuqishme, ka njoftuar zyra presidenciale e Seulit të shtunën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij koreanojugor, Moon Jae-in, të premten, tre ditë pas provokimit të fundit të Phenianit, që realizoi një provë raketore, gjatë së cilës një predhë e Koresë së Veriut fluturoi 2.700 kilometra mbi Japoni.
"Dy liderët vunë në dukje nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Koresë së Jugut për të kundërshtuar provokimet dhe kërcënimet nga Koreja e Veriut dhe arritën në një marrëveshje në parim për të rishikuar 'udhërrëfyesin mbi raketat' deri në atë masë që shpresohet nga ana e Koresë së Jugut", ka thënë zëdhënësi i zyrës Park Soo-hyun në një njoftim për shtyp, të publikuar nga agjencia vendase e lajmeve Yonhap.
Koreja e Jugut aktualisht ka të kufizuar rrezen e veprimit të raketave balistike deri në 800 kilometrash dhe ngarkesë prej 500 kilogramësh, sipas nën një traktati të rishikuar për herë të fundit me ushtrinë amerikane në vitin 2012.
Moon ka intensifikuar përpjekjet për të përmirësuar këto kushte në vazhdën e zhvillimit të armëve të shkatërrimit masiv të Koresë së Veriut, për të zgjeruar rrezen e veprimit të raketave të Koresë së Jugut dhe për të dyfishuar ngarkesën e lejuar të tyre.
Ndërkaq, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Trump ka dhënë "miratimin konceptual" për t'i shitur Koresë së Jugut miliarda dollarë pajisje ushtarake.
Zëdhënësi i Seulit më tej ka sugjeruar se planet kanë riafirmuar rëndësinë e dialogut me Phenianin, pavarësisht këmbënguljes së Trumpit të mërkurën se "bisedimet nuk janë përgjigja".
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders më vonë përsëriti politikën e presidentit amerikan se "të gjitha opsionet janë në tryezë".