Kasım İleri
14 Nëntor 2017•Përditësim: 14 Nëntor 2017
WASHINGTON (AA) - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka theksuar se SHBA do të jetë në Siri me praninë ushtarake deri sa të arrihet një zgjidhje e caktuar diplomatike në negociatat që vazhdojnë në Gjenevë të Zvicrës për tranzicionin politik në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
"Vendi ku do të shkojmë për pajtim politik dhe më tej është procesi i tanishëm i Gjenevës në koordinim me Kombet e Bashkuara. Qëllimi ynë aktual është që të vazhdojmë operacionet tona deri në eliminimin e DEASH-it si 'kalifat' dhe deri në arritjen e një zgjidhjeje diplomatike në Gjenevë të ruajmë pozicionin tonë në mënyrë që ato të mos kthehen më prapa. Për këtë arsye nuk do të largohemi nga Siria deri në arritjen e një rezultati në Gjenevë", është shprehur Mattis, në një takim me gazetarët në zyrën e shtypit të Pentagonit.
Duke anashkalur përgjigjen në lidhje me masën e humbjes së DEASH-it, ai ka vënë në dukje se kjo organizatë ende nuk ka përfunduar dhe se SHBA-të do të vazhdojnë të luftojnë "përsa kohë që ata kanë dëshirën të luftojnë."
Në lidhje me sistemin raketor S-400 të cilin Turqia ia ka blerë Rusisë, Mattis është shprehur se "Ky është vendimi sovran i Turqisë. Është e qartë se nuk do të funksionojë me sistemet e NATO-s, për këtë arsye do t'i bëjnë përllogaritjet teksa përparojnë këtë çështje".