Övünç Kutlu
30 Shtator 2021•Përditësim: 30 Shtator 2021
Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së miratoi një projekt-ligj që do të pezullonte kufirin e borxhit federal deri më 17 dhjetor të vitit 2022, por pritet që legjislacioni të mos miratohet në Senat, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një votim 219-212, të gjithë demokratët përveç Jared Golden nga Maine dhe Kurt Schrader nga Oregon e mbështetën atë, ndërsa legjislacioni regjistroi kundërshtime nga çdo republikan përveç Adam Kinzinger nga Illinois.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate nga Kalifornia, para votimit tha se ligjvënësit "kanë përgjegjësi për shëndetin dhe mirëqenien e familjeve amerikane që punojnë" dhe shtoi se dështimi për të miratuar projektligjin "do të ketë efekt katastrofik mbi ta".
Megjithatë, është pothuajse e sigurt projekt-ligji do të bllokohet në Senat nga ligjvënësit republikanë të cilët kundërshtojnë fuqishëm çdo rritje ose pezullim të kufirit të borxhit, i cili u rivendos në 28,4 trilion dollarë më 1 gusht.
Nëse legjislacioni dështon në Senat, Departamenti i Thesarit nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë para të gatshme për të shlyer detyrimet dhe Shtetet e Bashkuara mund të përballen me një dështim më 18 tetor.
Sipas Thesarit, Kongresi amerikan ka rritur ose pezulluar kufirin e borxhit 78 herë që nga viti 1960, me atë më të fundit në vitin 2019.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Kongresin muajt e fundit se qeveria amerikane është në rrugën e falimentimit në borxhin e saj kombëtar në tetor, nëse Washingtoni nuk rrit kufirin e borxhit.
Republikanët e Senatit tashmë bllokuan një projekt-ligj të hënën që do të mundësonte financimin e qeverisë dhe tani Kongresi duhet të miratojë një projekt-ligj deri të enjten në mesnatë për të shmangur mbylljen e qeverisë.