Michael Gabriel Hernandez
19 Gusht 2020•Përditësim: 19 Gusht 2020
SHBA dënoi "ashpër" "kryengritjen" ushtarake në Mali, duke u bërë thirrje autoriteteve ushtarake të garantojnë sigurinë e zyrtarëve qeveritarë të arrestuar dhe familjeve të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se SHBA "u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe ushtarakë që të punojnë për një rivendosje të qeverisë kushtetuese”.
"Ne u bëjmë thirrje të gjithë palëve relevante në Mali që të angazhohen në dialog paqësor, të respektojnë të drejtat e malianëve për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor dhe të refuzojnë dhunën”, tha Pompeo në një deklaratë.
Ndryshe, presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita, dha dorëheqjen pasi u arrestua nga ushtarët të martën. Ushtarët ndaluan edhe kryeministrin Boubou Cisse.
Tensionet shpërthyen në Mali në vitin 2012 pas një grushti shteti të dështuar dhe një rebelimi nga separatistët Tuareg që përfundimisht lejuan grupet militante të lidhura me al-Kaedën të marrin kontrollin e gjysmës veriore të vendit.
Keita, 75 vjeç, erdhi në pushtet në vitin 2013, por është kritikuar nga disa për mosarritje t'i mbrojë ata nga sulmet terroriste kryesisht në pjesën veriore dhe qendrore të vendit.
Mali, një nga vendet më të varfra në botë, vuan nga prania e disa grupeve terroriste, përkundër pranisë së paqeruajtësve francezë, malianë dhe të OKB-së, të cilët kryejnë operacione kundër terrorizmit.
Një marrëveshje paqeje e vitit 2015 midis qeverisë dhe grupeve rebele Tuareg nuk arriti të zbatohej.