Dildar Baykan Atalay
22 Qershor 2023•Përditësim: 23 Qershor 2023
Algat toksike që janë shfaqur në bregun jugor të Kalifornisë në SHBA kanë shkaktuar ngordhjen e qindra balenave dhe luanëve të detit, transmeton Anadolu.
Më shumë se 1.000 kafshë detare kanë ngordhur ose janë sëmurë në bregun jugor të Kalifornisë në qershor, sipas një lajmi të BBC-së, bazuar në të dhënat nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA).
Ekspertët kanë vënë në dukje se arsyeja e kësaj situate janë algat toksike që janë shfaqur në rajon.
Duke theksuar se algat helmuese janë sezonale, ekspertët kanë paralajmëruar se ndryshimi i klimës mund ta përkeqësojë këtë problem.
“Dëgjoj për shumë njerëz që ecin në plazh dhe hasin në kafshë të sëmura ose të ngordhura”, ka thënë David Caron, një studiues i shkencave biologjike në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Duke deklaruar se “acidi domoik” i prodhuar nga algat përhapet nëpërmjet zinxhirit ushqimor midis kafshëve, Caron ka thënë se butakët dhe disa peshq e konsumojnë këtë helm dhe më pas specie të tilla si luanët e detit, balenat dhe shpendët e detit që hanë këto kafshë helmohen.
Caron ka shtuar se ekipet e mbrojtjes së kafshëve po ndërhyjnë te kafshët e sëmura me të gjitha mundësitë.
Sipas të dhënave të NOAA-së, më të prekur nga kjo situatë janë plazhet në Santa Barbara dhe Ventura.