Servet Günerigök
26 maj 2021•Përditësim: 27 maj 2021
Një sulm i armatosur në qytetin San Jose të Kalifornisë në SHBA ka rezultuar në tetë viktima dhe një numër të madh të plagosurish, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Zyrës së Sherifit të Qarkut Santa Clara, Russell Davis, u tha gazetarëve se “ka të plagosur të shumtë dhe shumë viktima në këtë rast”, dhe se hetimi po vazhdon.
Davis konfirmoi se i dyshuari është vrarë gjatë reagimit të policisë.
Në një deklaratë për shtyp më vonë, zyrtarët e policisë në San Jose deklaruan se tetë persona humbën jetën në sulmin e armatosur që ndodhi në mëngjes.
Autoritetet, të cilët nuk zbuluan emrin e sulmuesit që u vra gjatë incidentit, deklaruan se të plagosurit po trajtohen në spitalet në afërsi.