Elena Teslova
07 Mars 2019•Përditësim: 07 Mars 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se Turqia është e përkushtuar në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Rikthimi i sovranitetit dhe integritetit territorial “në shkallë të plotë” është qëllimi përfundimtar i formatit të Astanas me Turqinë dhe Iranin për paqen në Siri", tha Lavrov gjatë konferencës për media të mbajtur në Abu Dhabi të Emiratet e Bashkuara Aarabe (UAE), pas takimit me homologun e tij Abdullah al Nahyan.
Lavrov theksoi se Turqia mbetet e përkushtuar në këtë qëllim, mirëpo duhet të përballet me sfidat që ndërlidhen me sigurinë e saj kombëtare, duke iu referuar kërcënimeve terroriste nga veriu i Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë.
Kryediplomati rus tha se formati i Astanas u krijua për të gjetur rrugëdalje për krizën siriane, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për shqetësimet e sigurisë së Turqisë, si dhe për të mundësuar rikthimin e plotë të sovranitetit të Sirisë.
“Duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e faktorëve që ndikojnë në krizën siriane, si dhe duke pasur parasysh numrin e madh të lojtarëve të jashtëm të cilët kanë interesa të caktuara në këtë situatë, me siguri që ky proces nuk do të jetë i shpejtë. Mirëpo ne nuk kemi dyshime nëse duhet të lëvizim në këtë drejtim, ndërsa miqtë tanë turq gjithashtu e kanë këtë qasje”, tha Lavrov.
Siria sapo ka filluar të del nga konflikti shkatërrues i cili filloi në vitin 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj protestave pro-demokratike.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), qindra mijëra civilë kanë humbur jetën apo janë shpërngulur si pasojë e konfliktit, kryesisht shkaku i sulmeve ajrore të regjimit në zonat e kontrolluara nga opozita.