Dmitri Chirciu
11 Shtator 2020•Përditësim: 13 Shtator 2020
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) të braktisë politikën e sanksioneve të njëanshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën e përjavshme për shtyp në Moskë, Zakharova komentoi vendimin e BE-së për të zgjatur për gjashtë muaj afatin e masave kufizuese ndaj Rusisë për shkak të “destabilizimit të Ukrainës”.
“Ne e konsiderojmë këtë hap si një mundësi të humbur për të dalë nga rruga pa dalje në të cilën BE-ja ka futur veten”, tha Zakharova.
"Ne i bëjmë thirrje BE-së të heqë dorë nga politika e saj e zbatimit të kufizimeve të njëanshme që nuk janë në përputhje me normat dhe frymën e ligjit ndërkombëtar", deklaroi Zakharova, duke theksuar se BE-ja po ndjek një "politikë destruktive".
"SHBA-ja synon të përkeqësojë marrëdhëniet dypalëshe"
Po ashtu, duke reaguar ndaj vendimit të SHBA-së për përfshirjen e katër zyrtarëve të lidhur me Rusinë në listën e sanksioneve me arsyetimin se janë përpjekur të ndikonin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, zëdhënësja ruse tha se "Me veprimet e tij, Washingtoni synon të ndjekë një rrugë e cila do të përkeqësojë marrëdhëniet dypalëshe”.
“Hapat e tillë nuk do t’ia sigurojnë Washingtonit rezultatin e dëshiruar”, theksoi ajo.
Zakharova shtoi se Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk synon të ndërhyjë në zgjedhjet në SHBA.