Elena Teslova
28 Prill 2020•Përditësim: 29 Prill 2020
Rusia paralajmëroi gjeneralin rebel Khalifa Haftar kundër përdorimit të krizës libiane për të bërë lëvizje "të njëanshme", transmeton Anadolu Agency (AA).
Moska kundërshton edhe mosgatishmërinë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) për bisedime me Haftarin, edhe vetëshpalljen e njëanshme të Haftarit si sundimtar i Libisë, tha ministri i Jashtëm turk Sergey Lavrov pas një takimi me homologët e tij nga Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Përmes një videoje, gjenerali rebel Khalifa Haftar dje tha se "pranoi mandatin e popullit libian" për të qeverisur vendin.
"Ne nuk e mbështetëm deklaratën e fundit nga (kreu i GNA-së) Sarraj, i cili nuk pranoi të bisedojë me Marshalin Haftar dhe ne nuk e mbështesim deklaratën se tani Marshal Haftar do të vendosë në mënyrë të njëanshme mënyrën e jetesës për popullin libian", tha Lavrov.
Ai gjithashtu tha se asnjë nga këta faktorë nuk ndihmon në gjetjen e kompromisit të qëndrueshëm, "pa të cilin është e pamundur dalja nga kriza".
"Ne kemi paralajmëruar gjithmonë se pa pëlqimin e qartë të palëve libiane, marrëveshjet e aktorëve të jashtëm mbi Libinë nuk do të jenë të zbatueshme. Kjo nuk do të thotë që palët në konflikt duhet të bëjnë deklarata agresive, të shpallin vendime të njëanshme ose të refuzojnë të kryejnë një dialog ndër-libian", shtoi ai.
Lavrov gjithashtu dënoi mungesën e vëmendjes ndaj një nisme për rinisjen e dialogut kombëtar të propozuar nga kryetari i Dhomës Libiane të Përfaqësuesve, Aguila Saleh.
Deklarata "e arsyeshme", në përputhje me vendimet ndërkombëtare dhe interesat e popullit libian, inkurajon ndërtimin e dialogut "që synon formimin e autoriteteve të pranueshme në mënyrë reciproke, që adreson në mënyrë të njëtrajtshme tre zonat kryesore të Libisë", tha Lavrov.
Që nga rrëzimi i sundimtarit disadekadësh të vendit, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në vend janë shfaqur dy pushtete, ajo e Haftarit në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga EBA dhe Egjipti, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe njohjen ndërkombëtare.