Elena Teslova
18 Prill 2019•Përditësim: 18 Prill 2019
Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, ka bërë të ditur se ka nënshkruar një dekret për zgjerimin e sanksioneve ruse kundër Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një takim të qeverisë të mbajtur në Moskë, Medvedev tha se masat e reja ndalojnë eksportin e naftës në Ukrainë, produkteve të naftës dhe qymyrit.
Ai shtoi se dekreti po ashtu zgjeron listën e sendeve të ndaluara për import nga Ukraina.
“Ne po zgjerojmë ndalimin e importimit të llojeve të caktuara të mallrave në Rusi. Kjo masë do të ndikoj në makineritë ukrainase, industrinë e lehtë dhe punimet metalike, kostoja e së cilës vitin e kaluar arriti pothuajse 250 milionë dollarë”, tha Medvedev.
Kryeministri rus po ashtu theksoi se këto masa janë hakmarrëse.
Rusia dhe Ukraina janë në mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.
Që nga viti 2014, administrata e Kievit ka vendosur kufizime të ndryshme ekonomike ndaj Moskës.