Rusia mbështet "sovranitetin" e Venezuelës, kërkon dialog pas operacionit ushtarak amerikan
Moska tha se Karakasi ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e vet pa ndërhyrje të jashtme
Stamboll
Rusia shprehu solidaritet me qeverinë dhe popullin e Venezuelës, duke mirëpritur hapat e ndërmarrë nga Karakasi për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe duke bërë thirrje për deeskalim dhe dialog pas operacionit ushtarak amerikan në vend, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse tha se mbështet përpjekjet e Venezuelës për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin politik, duke theksuar se vendi duhet të jetë i lirë të vendosë për fatin e tij pa ndërhyrje të jashtme.
Ministria tha se përshëndet presidenten e përkohshme të sapobetuar të Venezuelës, Delcy Rodriguez, duke vënë në dukje se ajo dha betimin sipas një vendimi të Dhomës Kushtetuese të Gjykatës Supreme të Venezuelës.
“Kjo nismë tregon vendosmërinë e qeverisë bolivariane për të siguruar unitet dhe për të ruajtur strukturën vertikale të pushtetit të vendosur në përputhje me legjislacionin kombëtar, për të zvogëluar rrezikun e një krize kushtetuese dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm paqësor dhe të qëndrueshëm të Venezuelës”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar asaj që e përshkruan si “kërcënime të hapura neokoloniale dhe agresion të armatosur nga jashtë”.
“Rikonfirmojmë solidaritetin e palëkundur të Rusisë me popullin dhe qeverinë venezuelase”, shtoi ministria, duke theksuar se Moska është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetje të nevojshme për Venezuelën, të cilin e quanjti “vend mik”.
Ministria e Jashtme gjithashtu bëri thirrje për shpërshkallëzim të tensioneve rreth Venezuelës, duke kërkuar që “çdo problem ekzistues” të zgjidhet përmes dialogut konstruktiv në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Ajo theksoi se Amerika Latine dhe Karaibet duhet të mbeten zonë paqeje.
Komentet erdhën pasi ministri i Jashtëm venezuelas, Ivan Gil Pinto, tha se Shtetet e Bashkuara kishin kryer sulme ndaj objektivave civile dhe ushtarake në Karakas, duke i përshkruar veprimet si agresion ushtarak dhe duke shpallur gjendje emergjente.
Ministria e Jashtme ruse tha se zhvillimet nënvizojnë nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të garantuar zhvillimin sovran të vendeve në rajon.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
